Norma reale e papunësisë ka qenë vazhdimisht një indikator i vendosur në pikëpyetje nga ekspertët, opinioni publik apo edhe vetë politika, sidomos në krahun opozitar, me cilëndo parti qoftë në qeverisje. Shkak për këtë skepticizëm është bërë jo vetëm metodologjia e matjes së shkallës së papunësisë, ku të papunë në shifra rezultojnë vetëm ata që i janë drejtuar zyrave të punës, por edhe dyshimet në lidhje me pavarësinë e një institucioni të rëndësishëm siç është edhe instituti i statistikave.
Për këtë arsye, anketat shërbejnë si një indikator përforcues duke konfirmuar apo përgënjeshtruar shifrat zyrtare. Gjatë tremujroit të parë të këtij viti, INSTAT raporton një normë papunësie në vetëm 11.4%.
Por, barometri i Ballkanit 2020 e hedh poshtë tërësisht këtë shifër. Sipas, barometrit, në vendin tonë, papunësia është thuajse dyfish e asaj që raportojnë autoritetet.
Të dhënat nuk reflektojnë periudhën e pandemisë pasi i referohen harkut kohor dhjetor 2019- Janar 2020, çka do të thotë se ndryshimi i shifrave nuk është rrjedhojë e krizës aktuale.
Sipas Barometrit të Ballkanit, 20% e të anketuarve deklarojnë se janë të papunë. Gjithsesi në anketën e barometrit nuk përfshihen moshat nga 15-18 vjeç, të cilat janë pjesë e moshës aktive për punë dhe përllogariten në shifrat e INSTAT. Një tjetër e dhënë që bien në sy është fakti se gjysma e shqiptarëve do të donte të punonte në “shtet”, me 30% të totalit që duan administratën dhe 20% kompanitë publike. Vetëm 22% preferon sektorin privat, ndërkohë që pjesa tjetër nuk ka preferenca./scan