Nxënësi Olti Vinca shpallet fitures i esesë më të mirë me temë : “Mësuesi im “

Nxenesi i Gjimnazit 18 Tetori, Olti Vinca shpallet fitures i esesë më të mirë me temë : “Mësuesi im ” në konkursin e organizuar nga ZVAP Lushnje. Në vijim mund të lexoni esenë fituese.

Mësuesi im
Themeli i edukatës, i intelektit, i diturisë, i elokuencës, i zhvillimit karakterial të gjithsecilit, si dhe i metamorfozimit të mentalitetit të shoqërisë është vetë shkolla dhe personi që i injekton këto virtyte, është mësuesi.
Nuk harrohet asnjëherë kjo figurë e mrekullueshme, nuk mund të fshihet nga kujtesa njerëzore ky emër eufonik. Është e pamundur të mos vlerësosh personin që të mësoi të shkruash, të lexosh, të kuptosh atë që nuk e kishe hasur ndonjëherë në lëmin e shkencës dhe të artit. Mësuesi është ai që me përkushtim dhe me durim të hap horizonte të reja dhe të krijon një lidhje organike mes ndjenjës dhe racionalitetit, mes teorikes dhe praktikes, mes tradicionales dhe avangardes…
Mësuesi është personi që të hap sytë dhe të ndriçon rrugën drejt përsosmërisë. Ai është individi që emeton respekt, dashuri , empati…, është stimuli i rritjes së vetëvlerësimit, ndërmjetësuesi i krijimit të hapësirës për të reflektuar dhe për të zhvilluar imagjinatën. Mësuesi është elementi thelbësor që të ushqen dëshirën për të qenë dikushi në jetë, ambicien dhe pasionin për të punuar fort dhe për të kuptuar se me punë arrihet gjithçka. Kjo figurë modeste të fal aftësinë për t’u përballur me hierarkinë e vlerave dhe për t’iu shmangur antivlerës dhe skolastikës.
Mësuesi duhet të jetë shembulli më i përkryer për nxënësin, sepse nga një mësues i formuar lindin mjekët, arkitektët, inxhinierët, shkencëtarët… Një mësues mendjendritur çon në formimin e një shoqërie të konsoliduar dhe një shoqëri e konsoliduar ndërton e strukturon bazat e një shteti monolit dhe solid. Përkundrazi, një dhaskal ose një pseudomësues atrofizon themelet e shëndetshme të individit, të shoqërisë dhe të shtetit; cënon integritetin, progresin dhe nxit injorancën në vend të diturisë, korrupsionin në vend të ligjshmërisë e barazisë, burokracinë në vend të meritokracisë dhe hipokrizinë në vend të virtytit.
Një mësues i vërtetë “projekton” nxënës të aftë dhe të vëmendshëm për të përthithur sa më shumë prej tij, i edukon dhe i kalit ata për t’u përballur me sfidat e jetës, sepse “I edukuari ndryshon nga jo i edukuari aq sa jeta ndryshon prej vdekjes”,- thotë Aristoteli. Kështu pra, për nxënësin mësuesi mbetet një busull orientuese dhe e pagabueshme në çdo kohë.
Mësuesi është konstelacion i hapësirës qiellore, i cili shihet me admirim dhe respekt, sepse ai na ofron privilegjin për të qenë të zgjuar si ai dhe për t’u bërë edhe ne konstelacione të dikujt në një të ardhme të afërt.
Gëzuar 7 Marsin, mësuesit tanë të dashur! Mirënjohje dhe respekt për punën tuaj të palodhur dhe fisnike!