Kapet dhe vihet në pranga 53-vjeçari.

I dënuar nga autoritetet gjyqësore të Italisë, me mbi 5 vjet burgim, për marrëdhënie seksuale me dhunë, kapet në Lushnjë dhe vihet në pranga 53-vjeçari.

Pas shkëmbimit të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të Italisë, shërbimet e njësisë së specializuar FAST Albania, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, bënë të mundur kapjen në fshatin Tërbuf, Lushnjë, si dhe arrestimin provizor, me qëllim ekstradimin, e shtetasit B M, 53 vjeç.

53-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Novarës, Itali, e ka dënuar me 5 vjet e 10 muaj burgim, për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë”, të parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.

Interpol Tirana vijon të bashkëpunojë me partnerët italianë, për ekstradimin e shtetasit B M, në Itali.