Policia e Tiranës bëri të ditur sot se ka vendosur një shpërblim prej 100 mijë eurosh për çdo informacion të vlefshëm që mund të çojë në identifikimin e personave që pak pas mesnatës të së hënës, qëlluan me armë godinën e televizionit Top Channel. Ajo ka vendosur në dispozicion dhe një numër të posaçëm telefoni duke garantuar anonimatin e kujtdo që ofron të dhëna. Ky është ndër shpërblimet më të mëdha të vendosura ndonjëherë nga autoritetet për zbulimin e një ngjarjeje kriminale.
Policia konfirmoi se në drejtim të godinës së Top Channel, ku mbeti i vrarë dhe një roje e sigurisë, janë qëlluar 26 fishekë nga dy armë kallashnikov, nga të cilat “20 gëzhoja janë qitur nga një armë zjarri dhe 6 gëzhoja janë qitur nga arma tjetër”.