30 qershor ,njoftime nga policia qarku Fier.


DVP Fier/Vihen në pranga 2 shtetas dhe shpallen në kërkim 2 të tjerë, për vepra të ndryshme penale.

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor të DVP Fier arrestuan në flagrancë shtetasin A. K., 42 vjeç, banues në Lushnjë, pasi është konstatuar nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Divjakë arrestuan në flagrancë shtetasin K. T., 31 vjeç, banues në Divjakë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj babait të tij.

Po nga këta specialistë, u referuan materialet në Prokurori dhe u shpall në kërkim shtetasi E. Z., 21 vjeç, pasi në fshatin Bedat, Divjakë, dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta shtetasin S. B., 31 vjeç, si dhe ka qëlluar me armë gjahu, në ajër. Vijon puna për kapjen e 21-vjeçarit.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin S. M., 31 vjeç, banues në Fier, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëjetueses së tij, e cila ishte e pajisur me urdhër mbrojtjeje. Vijon puna për kapjen e 31-vjeçarit.

Në vijim të informacionit të dhënë më datë 26.06.2023, për largimin nga banesa të shtetases S. H., 37 vjeçe, ju informojmë se shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier bënë të mundur gjetjen e kësaj shtetaseje. 37-vjeçarja është në gjendje të mirë shëndetësore.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.