- Aktorja Margarita Xhepa lindi më 2 prill 1934. U aktivizua fillimisht në Estradën e Shtetit dhe më pas në Teatrin Popullor. Spikati në plejadën e kohës përmes interpretimit të rolit të Ofelisë të tragjedisë shekspiriane “Hamleti”, vënë në skenë në vitin 1960 prej regjisorit rus Bortko.
Në skenën e teatrit, Xhepa ka mishëruar mbi 150 role, mes të cilave veçojmë: Ledi Milfordin në dramën “Intrige e dashuri” (F. Shiler), Melën në dramën “Morali i zonjës Dulska” (G. Zapolska), Dafinën në dramatizimin e romanit “Lumi i vdekur” (J. Xoxa) dhe nënën në inskenimin e romanit të Kadaresë, “Kush e solli Doruntinën”.
Në vitin 2007 iu dha “Çmimi i Karrierës” për rolin e Nadjezhnës në monodramën “Kënga e mjellmës” së Çehovit. Krahas teatrit, Xhepa është shfaqur në ekranin e filmit me një galeri të larmishme prej 31 rolesh. Disa prej personazheve që interpretoi mjeshtërisht janë Zyraka te “Vitet e para” (1965), Shano te “Dimri i fundit” (1976), pianistja te “Koncert në vitin 1936 (1978) dhe Lena te “Tokë e përgjakur” (1976).
Xhepës i është akorduar gjithashtu edhe titulli “Artiste e Popullit”.