Parlamenti Evropian miratoi të martën vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës .
Miratimi u bë pa votim, pasi nuk kishte asnjë kundërshtim.
Më 19 prill, do të nënshkruhet akti ligjor për liberalizimin e vizave, ndërsa hapi i vetëm që duhet
të bëhet pas kësaj, është botimi i vendimit në Gazetën Zyrtare të BE-së dhe hyrja në fuqi e tij.
Këshilli i ministrave të BE-së e ka miratuar me shumicë të thjeshtë liberalizimin e vizave për Kosovën, muajin e kaluar.
Tashmë është e qartë se zbatimi i vendimit nuk do të shtyhet më larg se 1 janari i vitit 2024.
Parlamenti Evropian ka qenë institucioni i BE-së, i cili më së shumti e ka mbështetur lëvizjen
e lirë të qytetarëve të Kosovës dhe vazhdimisht ka qortuar Këshillin e BE-së dhe Komisionin Evropian për,
siç është thënë, vonesa të panevojshme në këtë proces.
Liberalizimi i vizave do t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë lirshëm në atë që njihet si zona Schengen, e që përbëhet prej 27 shtetesh evropiane.
Ky regjim mundëson udhëtime pa viza vetëm deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga shtetet anëtare të zonës Schengen.
Në ceremoninë e nënshkrimit do jenë ftuar të marrin pjesë edhe zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla