Eshtë arrestuar në Elbasan një prej autorëve që tentuan të grabisnin me armë një biznesmen në Lushnjë.
Vihet në pranga 66-vjeçari B Mukja drejtuesi i automjetit, i cili u largua bashkë me 2 autorët e tjerë.
Në vijim të operacionit policor të koduar “Parandalimi”, shërbimet e Policisë kanë vijuar ndjekjen e autorëve në zonë, me qëllim kapjen e tyre.
Si rezultat i koordinimit mes Policisë së Lushnjës dhe asaj të Elbasanit, u bë i mundur lokalizimi i njërit prej autorëve të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit
Shërbimet e Policisë së Elbasanit, në bashkëpunim me ato të Lushnjës, kapën në lagjen “Kala” të qytetit Elbasan, njërin prej autorëve, konkretisht shtetasin Bukurosh Mukja, 66 vjeç, banues në Elbasan, i cili ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Parandalimi”, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”.
Të tre këta shtetas, kur janë lokalizuar nga punonjësit e Policisë, nuk i janë bindur urdhrit të tyre për të ndaluar, por janë larguar me shpejtësi me një automjet tip “Benz” me targa të falsifikuara, duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë që ishin në operacion.
Vijon puna intensive për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të 2 autorëve të tjerë të shpallur në kërkim.