“In Memoriam”/ Kristaq Gogoni, legjenda e futbollit Lushnjar (Rrëfim ekskluziv i pabotuar)

“In Memoriam”/ Kristaq Gogoni, legjenda e futbollit Lushnjar (Rrëfim ekskluziv i pabotuar) nga Ervin Sina.

Të martën mbylli sytë përgjithmonë një prej emrave emblemë të sportit Lushnjar, legjenda e futbollit Kristaq Gogoni.
Ai u nda nga jeta në moshën 83-vjecare në Athinë ( aty ku jetonte më familjen prej shumë vitesh) duke lënë pas kujtime të paharrueshme tek futbolldashësit dhe një emër që do të nderohet me respect ndër breza për kontributin e jashtëzakonshëm jo vetëm në imazhin e Lushnjës, por edhe të gjithë futbollit shqiptar.
Gogoni, ishte një kolos, jo vetëm brenda fushës ku falë qindra paraqitjeve dhe golave të shënuar me Lushnjën dhe Partizanin shkroi emrin në panteonin e kampioneve të këtij sporti, por “Taqi” ishte një kolos edhe jashtë fushë, i thjeshtë, I dashur, bashkëbisedues, pasionant i madh, mik dhe koleg i shkëlqyer për bashkëqytetarët dhe nxënësit e tij në sport dhe arsim. Lushnja i detyrohet padiskutim të madhit Kristaq Gogoni dhe emrave të tjerë të shquar si ai, të cilët me veprën e tyre kanë “zbukuruar” imazhin e Lushnjës kudo dhe kurdo.
Radio Lushnja sjell ekskluzivisht në kujtim të jetës dhe veprës së legjendës Taq Gogoni, një speciale të pabotuar në mediat tona, rrëfim të vecantë të këtij emri të madh dhënë për gazetarin Ervin Sina në 2 maj të vitit 2008 në Lushnjë.

SPECIALE E PABOTUAR, LUSHNJË MË 3 MAJ 2008
INTERVISTOI: ERVIN SINA

Kristaq Gogoni është një nga emrat më të famshën që ka prodhuar shkolla lushnjare e futbollit. Ish-futbollisti i paharruar i Lushnjes në vitet 60’ vazhdon të kujtohet edhe sot e kësaj dite si një lojtarët më të mëdhenj që ka njohur historia e futbollit të këtij qyteti. Madje sportëdashësit lushnjare edhe sot e kësaj ditë shkojnë deri atje sa e quajnë Kristaq Gogonin si njerin prej futbollistëve më të mirë të shekullit të kaluar me vendin tonë. Ndoshta një emërtim i tillë mund të duket paksa i tepruar, por të paktën kjo është bindja që kanë qytetarët dhe mbi të gjitha fansat lushnjarë të cilët figuren e Kristaq Gogonit dhe atë të Roza Haxhiut i krahasojnë me figurën e një legjende. Në fakt vlerësimi i madh i një qyteti të tërë mbi të gjitha për Taqin ( sic thërritet Gogoni nga Lushnjarët) duket qartë, teksa biseda jonë me këtë ish-futbollist të shquar brenda 60 minutave ndrëpritet shumë herë si rrjedhojë përshëndetjeve që i bëjnë shokët e shumtë, nxënësit e tij por edhe bashkëqytetarë të thjeshtë, të cilët e konsiderojnë simbol Kristaq Gogonin në Lushnje.
Por kush ishte futbollisti i cili arriti të bëjë epokë gjatë aktivizimit të tij për rreth 18 kampionate rrjeshtë me fanellën e Lushnjes duke përfshirë këtu edhe dy kampionë kur u aktivizua me Partizanin?
Kristaq Gogoni lindi në 20 tetor të vitit 1940 në qytetin e Lushnjës në një familje e cila e kishte në gjak futbollin pasi xhaxhai i tij madje kishte luajtur deri me Fenerbacen në Turqi. Taqi, ashtu si edhe pjesa më e madhe e shokëve të ardhshëm të ekipit do të rritej me top ndër këmbë.
“Luanin nëpër lagje, kujton me nostalgji, Gogoni i cili vijon më tej- me këmbët zbathur dhe me topa lecke të mbushura me shumë lecka të tjera brenda. Kështu vazhdoj deri në moshën 17 vjecare, Pasi mbarova shkollen 7-vjeçare babai më çoi në shkollën teknike. Në vitin e tretë të kësaj shkolle u bë një kampionat mes shkollave ku unë u dallova. Para se të bëja vitin e fundit isha me pushime në Lushnje dhe një ditë me takon rastësisht në rrugë trajneri i ekipit të Lushnjes asaj kohe Lika Haxhiu ( vëllai i Roza Haxhiut). Më thotë: “O djalosh më duhesh në ekipin e të rinjve se nuk kam federuar shumë futbollistë”. Mirë, iu përgjigja, dhe kështu do të luaja me të rinjtë. Për fat të mirë shkoi shkëlqyeshëm me të rinjte ku në tre muaj kampionat nga 13 gola 11 i realizova unë, shprehet mes lotëve që i rrjedhin në faqe Kristaq Gogoni, i cili kujton me shumë nostalgji debutimin me ekipin e parë të Lushnjës: “Luanim miqësoren me Besën në një fushë me qymyr dhe trajneri i atëhershëm i Lushnjës i ndjeri Faik Dervishi me merr në skuadër. Realizova golin e fitores 1 me 0 duke nisur kështu periudhën e gjatë 18-vjeçare të aktivizimit me skuadrën time të zemrës, tregon me shum mall Gogoni, i cili pas dy sezoneve të shkëlqyera me Lushnjën do të transferohej tek Partizani për shkak se në Tiranë do të kryente edhe shërbimin ushtarak. Asaj kohe të kuqtë drejtoheshin nga i madhi Loro Borici, i cili besoi shumë tek aftësitë e rralla të sulmuesit të ri lushnjar i cili kontribuoi në dy sezone që Partizani të shpallej dy herë kampion. “Por ndarja nga Partizani ishte tepër e dhimbshmne për shkak se në takimin e parë të ligës së kampioneve kundër Norcepingut unë nuk luajta se nuk më morën në Suedi ndërkohë që në takimin e dytë sipas disa fletushkave para ndeshjes unë isha titullar por nuk ndodhi kështu. Unë ndenja rezervë. Ky ishte shkaku që u largova nga të kuqtë me të cilët kam kaluar një periudhë të shkëlqyer para se t’u ktheja përfundimisht tek Lushnja ku do të luaja edhe për 13 vjet të tjera. Gjatë gjithë kohës që kam luajtur me Lushnjën kemi qënë gjithnjë në ligën e parë, madje përpara Vllaznisë , Labinotit apo Lokomotivës. Skuadra ishte e përbërë nga emra të talentuar si Xh.Byzhyti, , J.Haxhiu, T.Kadiu, RR.Bafa, G.Kadriu, Ll.Mitrushi, M.Xhoxhi, Z.Kashami, N.Merhori etj. Ai ekip i Lushnje jam i sigurtë që nuk vjen më me ato emra të shkëlqyer që i dhanë për 18 vjet me radhë një emër të shkëlqyer këtij qyteti në futboll, citon për gazetarin Ervin Sina, 67 -vjecari Kristaq Gogoni i cili e la futbollin në vitin 1976 ndërkohë që më pas për shumë vite do të punonte si trajner dhe si mësues fiskulture përpara se të emigronte për në Greqi në vitin 1992 atje ku jeton së bashku me djalin e tij Dhimitraqin dhe familjen. Pavarësisht se është larg vendlidjes Taqi nuk është shkëputur nga bota e sportit pasi e ndjek futbollin shqiptar nëpërmjet gazetës Sporti Shqiptar dhe ekraneve televizive: “E kam ndjekur kampionatin shqiptar por edhe kombëtaren falë gazetës suaj që vjen në Athinë por edhe nëpërmjet asaj cka më tregon në telefon shoku im Xhoxh Byzhyti. Në përgjithësi me atë që kam parë jam i mendimit se në këto vitet e fundit ka humbur pasioni për këtë lojë magjike. Numri i pakët i lojtarëve të njohur që prodhojmë, rezultatet jo të mira në arenen ndërkombëtare, gjykimet jo të mira dhe terrenet skandaloze vërtet më pikëllojnë. Sot futbolli është biznes jo më pasion”, rrëfehet në këtë bashkëbisedim pranë mikut të tij të vjetër Xhoxh Byzhyti, legjenda e futbollit të Lushnjës, një prej numrave 10 më të mirë të histories së futbollit shqiptar.

“ Ju falenderoj përzemërisht për intervistën e cila më bëri që të kujtoj me nostalgji vitet e paharrueshme kur luaja futboll dhe uroj që kur të vi verën e ardhshme ta shoh Lushnjen në Superligë aty ku e ka vendin, përfundoi i madhi Kristaq Gogoni, “traktori” Lushnjar sikurse e thërrisnin miqtë dhe rivalët e tij të fushës së blertë.

Emri: Kristaq Dhimitër Gogoni
Datlindja: 20.10.1940
Vendlindja: Lushnje
Karriera: 1958-1959 deri me 1975-1976
Ekipet ku ka luajtur: Lushnja dhe Partizani
Pozicioni: Sulmues ( 1958-1970), qëndërmbrojtës ( 1970-1976).
Trofe të fituar: Kampion me Partizanin ( sezoni 61- 62)
Titujt: Qytetar Nderi i Lushnjes, Mjeshter i Merituar i Sportit.
Profesioni: Mësues Fiskulture