Drejtoria Teknike e FSHF-së është gati të nisë projektin që quhet “Hap pas hapi” e që do të vihet për herë të parë në zbatim gjatë muajit gusht sipas një programi të koordinuar në detaje me Departamentin e Ekipeve Kombëtare dhe trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave U-15, U-17 dhe U-19.
Ky projekt që do të angazhojë të gjithë lojtarët të cilët jetojnë në Shqipëri e që janë pjesë e ekipeve tona kombëtare të këtyre moshave, teksa dy ditë në javë lojtarët do të grumbullohen në Shtëpinë e Futbollit me trajnerët dhe do të punojnë në aspektin fizik e teknik, por mbi të gjitha në aspektin taktik individual. Në këto stazhe të përjavshme stërvitore do të marrin pjesë edhe anëtarë të stafit të përgatitësve atletikë të Kombëtares si edhe përfaqësues nga sektori i zhvillimit të portierëve në FSHF.
Drejtori Teknik i FSHF-së, Fulvio Pea shprehet se projekti “Hap pas hapi” është konceptuar për të gjithë futbollistët të cilët aktivizohen në klubet shqiptare dhe që janë pjesë e ekipeve kombëtare të moshave nga U-15 e deri te U-19. Sipas tij, objektivi është që të përmirësojmë cilësinë e futbollistëve shqiptarë, sepse lojtarët e ekipeve kombëtare duhet të vijnë kryesisht nga klubet vendase, ndërsa lojtarët që vijnë nga jashtë janë ato që duhet të bëjnë diferencën.
“Katër trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave do të jenë protagonistët e këtij projekti dhe do të mbështeten nga përgatitësit atletikë të Kombëtares A, sektori i zhvillimit të portierëve dhe do të grumbullohen në Shtëpinë e Futbollit çdo të hënë dhe të martë çdo javë, me përjashtim të rasteve kur Kombëtarja A është e grumbulluar për ndeshje.
Është një projekt që mund të sjellë avantazhe të mëdha, sepse është një projekti i dedikuar aspektit si fizik e atletik të çdo lojtari, por mbi të gjitha në aspektin teknik e taktik, qoftë individual qoftë reparti. Ne duam të specializojmë lojtarët tanë në role të ndryshme. Për këtë arsye ne po mbledhim të gjithë informacionin e nevojshëm për kërkesat që stafi teknik i Kombëtares A ka për çdo lojtar të çdo roli për të krijuar prototipin për çdo lojtar. Ne do të punojmë për të krijuar atë tip lojtari”, – thotë Pea për Fshf.org.
Ky projekt pritet të përmirësojë nivelin e ekipeve Kombëtare të moshave, sepse do të përmirësojë ndjeshëm çdo individ dhe nëse përmirësohet çdo individ patjetër që do të përmirësohet edhe skuadra. Edhe fakti që lojtarët do të kalojnë më shumë kohë së bashku patjetër që do të forcojë lidhjen mes lojtarëve dhe nëse i shtojmë edhe ato lojtarë që vijnë nga jashtë do të forcohet më shumë grupi. Ky mund të jetë një tjetër avantazh që mund të kemi në zhvillimin e ekipeve kombëtare.
“Ky është një projekt pilot që do të zgjasë të paktën nga gushti e deri në dhjetor. Sipas eksperiencës time, mendoj se do të kemi benefite, që nuk do të thotë fitore dhe sukses i menjëhershëm, por përmirësimi i cilësisë së lojës dhe individëve. Nëse projekti do të ketë sukses, do ta intensifikojmë në janar e në vazhdim mbase duke organizuar edhe tre herë stërvitje në javë, jo vetëm 2 ditë”, – shpjegon Pea./Ballkanweb/