Në objektin aktual të Komunës së Pejës, (objekti në qendër të qyetit, pranë postës), kishte ditë që Kryetari i dhunshëm i Pejës, i kishte lëshuar zyrë, shefit të shtabit të Njësitit snajperist të Armatës së tretë “Jugosllave”, grup që vërtetohet të ketë qenë nën komandën e drejtpërdrejtë të kryegjeneralit të Armatës së Tretë serbe.
Mesditë! (e shtunë 27 Mars 1999), thuhej se po e zbrapsnin Kapeshnicën!
‘Kapeshnica’ një lagje etnikisht e pastër, atëherë me rreth 20 mijë banorë, e dalluar në qytet për shpirtin rezistent. Atje i kisha dajët. Brenga ishte tejet e madhe. Linjat telefonike në Pejë kishte disa ditë që nuk funksiononin.
Peja sikur e tërë Kosova, tashmë ndodhej jashtë reflektorëve të Bashkësisë Ndërkombëtare. Misioni vëzhgues i OSBE-së, kishte lënë Kosovën dhe Pejën. Kampi i sotëm ‘Karagaç’, atëherë ‘Miranda’ ku ishte shtrirë ky mision, tani ishte boshatisur.
I vetmi komunikim i popullatës tonë me botën, ishte ‘Zëri i Amerikës’ për çdo mbrëmje në ora 23:00, dhe ai i DW-së (Dojçe velles), çdo ditë në ora 13:00. (Kuptohet për ato familje që kishin luksin të kenë antentë satelitore).
Nuk kishim asnjë informacion për familjen e dajës dhe për asnjë banorë të lagjes ‘Kapeshnica’.
Një natë, një mbrëmje e gjatë. Shumë frikë dhe shpresë… Frikë, sepse rrethanat e zhvillimeve të shpejta nga çasti në çast, reflektonin edhe në fytyrat e prindërve dhe familjarëve më të moshuar. Shpresë, sepse pas një terri të gjatë shumëvjeçarë, këto 4-5 netët e fundit, po sillnin dritë, dhe atë, nga aeroplanët e Aleancës më të fortë në historinë e njerëzimit NATO.
Në memorien time, si 18 vjeçar, emrat e aktorëve të njohur të filmave të kohës, ishin zëvendësuar me ato të figurave aktuale të kohës, që po bënin politikën e botës; Riçard Hollbruk, Robin Kuk, James Shea, Havier Solana (spanjoll i përmbajtur), Zhak Shirak, Xhejms Rubin, Klaus Kinkel, Ollbrajt, Klinton, Hill, Petriç, Majorski (rus), Clark e të tjerë. Si i ri, më së shumti përshtypje më bënin paraqitjet televizive të këtij të fundit (Clark). Ishte amerikan i uniformuar. Ishte i shkurtë dhe i qartë në fjalime dhe mbante shkopin në dorë me të cilin prekte hartën e Jugosllavisë së mbetur.
-Ata të cilët nuk i kuptoja në atë periudhë, ishin pikërisht ata që duhet ti doja më së tepërmi, faktori shqiptar i Kosovës. -Faktori shqiptar i cili paraqitej në skena dhe edicione lajmesh veçanërisht gjatë kohës së konferencës së Rambujesë. Thaçi, Bukoshi, Tahiri, Hajrizi e të tjerë. -Sado që ne prisnim lajme jetike për fatin tonë, ata i mbushnin minutat duke bërë garë mes vete, me demante e kundër demante, se kush ishte prijës i delegacionit Kosovar, Thaçi apo Rugova! -Nga spektri ynë politik atje, të gjithë ne në shtëpi, i admironim paraqitjet e Veton Surroit dhe Blerim Shalës. Prej gazetarëve-korrespodentë, që raportonin nga qendrat e vendosjes dhe ato shqiptare, nuk mund të mos përmend Augustin Paloken nga Brukseli, Nadira Avdiç-Vllasi, Asllan Bajrami, Mustafë Muçaj dhe Besa Qeku. Sa të përmbushur që ishin. Me raportimet e tyre, bashkë me bukën dhe ujin, ishin pjesë e familjeve tona.
E Diel – 28 Mars 1999 – Ditë e Kurban Bajramit
Qyteti i Pejës ishte në flakë. Jarina po zbrapsej.
Gjatë natës disa nga fqinjët ishin nisur kokë më vete në drejtim të Rozhajës.
Një pjesë e madhe prej tyre bashkë me ne – kishin mbetur. Ishte shtet-rrethim.
Një lokalitet, total i paarmatosur, aty këtu ndokush nga familjarët kishte ndonjë TT – jugosllave.
Lajmet audio-satelitore në DW (dojçe velle). Në mes të qetësisë absolute ku dy familjet, e jona dhe e axhës ishim bashkë, më të vjetrit kërkojnë qetësi, se po flet Valentina Saraqini…
“Informacionet tona nga Peja flasin për krime makabre të forcave serbe. Qendra zejtare, pjesa e stacionit të autobusëve, Kalaja dhe blloqet ‘Dardania’ janë nën flakë. Burrat e Kapeshnicës kanë filluar një rezistencë nën sloganin se; “nuk duam të vdesim si kafshë”. Mungon rryma, dhe linjat telefonike me lagjet ‘Jarina’ dhe ‘Ramiz Sadiku’. Në këto lagje ekziston frika e ndonjë masakre të mundshme meqë ka popullatë të përzier… Kemi në linjë telefonike komandantin e zonës operative të dukagjinit në UÇK, Ramush Haradinajn.
#Saraqini: z. Haradinaj, cila është gjendja nga ajo që ju keni në duar si informacion për Pejën?
#Haradinaj: Popullata civile e Pejës është e pambrojtur, kjo ka bërë që të kemi kujdes në ofensivat tona, sepse aparati serb, është shumë hakmarrës, ndërsa në zonat ku ne kemi ushtarë të rregullt të UÇK-së, humbjet e forcave serbe janë të mëdha si në njerëz ashtu edhe në teknikë luftarake. Liria kurrë s’ka qenë më afër.
#Saraqini: A mund të flasim për rezultatet e Rambujesë, nga këndvështrimi juaj!
#Haradinaj: Nuk e di. Nuk jam marrë me ta. Liria bëhet këtu. Jemi në punë me të gjitha veglat që i kemi në terren. Popullaten e Pejës e ftoj për organizim për vetmbrojtje.
#Saraqini: Cila është thirrja juaj për Bashkësinë ndërkombëtare ?
#Haradinaj: Fillon të flas në anglisht… dhe linja shkëputet’… (Ishte kjo hera e parë, momenti i parë që Kryeministrin e sotshëm, atë ditë po e njoftoja, por veç nga zëri. Nuk e kisha idenë e figurës së tij. Në logjiken time, foli bukur, saktë dhe tamam si ushtarak. Me anë të fjalës së prerë, na krijoi idenë e personit prej njeriu të vendosur, siç e njohë edhe sot. Ishte i vetmi ushtarak nga terreni, që po prezantohej pa nofkë, por me emër dhe mbiemër).
Disa minuta më pas, në derën e shtëpisë tonë trokasin ‘fqinjët’ serb dhe malazez!? Ne i lëshojmë shtëpitë tona. Nën përcjellje të forcave serbe, në kolonë në këmbë arrijmë në qendër të qytetit të Pejës. Një pjesë e familjes marrin drejtimin e Rozhajës me një automjet ‘Reno 4’ të axhës, ne, pjesa tjetër mbetemi të rreshtuar në autobusin me firmën ‘Gramosi Tours’, që normal ishte rrëmbyer nga policia dhe e drejtonte një polic serb i cili na dëbon deri në kufirin me Shqipërinë…
Peja çlirohet më 16 Qershor të të njëjtit vit (1999)!
Liria erdhi, … shumë e përgjakshme, me shumë djem e vajza të kthyer në bronzë, me të tjerë invalid, 73 % e qytetit e shkatërruar totalisht. Shumë viktima, shumë martirë, … por edhe shumë ëndrra e shpresa për një të ardhme të ndritshme.
Po në këtë datë, pas një kohe shumë të gjatë, pas vuajtjesh, persekutimesh, dënimesh, vrasjesh e krimesh, në qendër të Pejës dhe në objektin komunal do valëvitej Flamuri kombëtarë, Kuq e Zi!
Et’hem Çeku, prefekti i Pejës, udhëheqës punëtorë, (të cilin më vonë do ta njihja dhe intervistoja shumë herë si gazetarë e për ta pasur edhe mik), ishte figura, që ato ditë ishte personifikimi i tërë UÇK-së për popullatën civile të sapokthyer e cila përkundër thyerjeve të mëdha, humbjet dhe shkatërrimet po i kthente në një vitalitet të pashembullt për punë dhe ndërtim të qytetit.
(Refleks, shkëputje nga kujtimet, inqëzimet dhe ditari me shënime)/Njeshi/